Duke filluar nga Qeveria që për gati një vjet është në detyrë, në një linjë vec pak më ndryshe janë edhe dhjetëra institucione shtetërore, të cilat po funksionojnë me ushtrues detyre.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me ushtrues detyre është pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Njësisë për inteligjencë Financiare, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Inspektorati Qendror i Punës.
Në atë të Drejtësisë, janë Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Inspektorati për Mbikëqyrjen e Punës së Institucioneve Korrektuese dhe Drejtorive Rajonale Sprovuese.
Ndërkohë që në MPB, me ushtrues detyre është Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencina e Regjistrimit Civil.
Dhjetra pozita janë edhe brenda ministrive të tjera, që nuk kanë arritur të dalin jashta ushtruesit të detyrës.
Si pasojë e mungesës së funksionimit të Kuvendit të Kosovës, së fundmi i ka përfunduar mandati edhe avokatit i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, por që sipas ligjit ai vazhdon të jetë në krye të detyrës, deri të emërohet dikush tjetër.
Jo funksional për shkak të mungesës së bordit vazhdojnë të jenë edhe Komisioni i Pavarur për Media, e bordi i RTK-së.
Ndër pozitat më të rëndësishme që është me ushtrues detyre, por që së fundmi është ndërruar emri, është ajo e kryeprokurorit të shtetit.
