Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të hënën (27 tetor) ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjdhjeve për Kryetarë të Komunave.
Sipas njoftimit të KQZ-së, kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
Po ashtu, sipas KQZ-së, ky numër i votuesve, i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
Fillimin e votimit jashtë Kosovës ende pa u certifikuar rezultatet përfundimtare, KQZ e ka arsyetuar me shmangien e vonesave.
“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Aktualisht, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 komuna, 15 prej të cilave janë pjesë e listës në të cilat ka filluar votimi me postë jashtë Kosovës, ndërkaq 3 të tjera, si Prishtina, Juniku dhe Mamusha, ende s’kanë rezultat përfundimtar për shkak të ankesave në PZAP.
