Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi i ka reaguar ashpër deputetës së VV-së, Albulena Haxhiut e cila publikoi një fotografi të deputetëve të PDK-së dhe Listës Serbe gjatë votimit.
Krasniqi tha se ish-ministrja këtë foto e ka publikuar me qëllim që ti barazojë deputetët shqiptarë me deputetët serbë, me qëllim që t’i njollosë të gjithë.
“Këtë foto e ka publikuar ish ministrja e Republikës së Kosovës, duke barazuar deputetët shqiptarë me deputetët serbë, me qëllim që t’i njollosë të gjithë.
Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Perparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia.
Askush nuk është i detyruar t’ju shpëtojë nga dështimet e juaja politike e personale. Por, me bindje të plotë, them se veprimet e juaja publike e tinëzare janë shumëfish më të koordinuara me politikat fashiste të Serbisë sesa çfarëdo vote kundër kësaj qeverie.”, shtoi Krasniqi.