Hetimi i korrupsionit në nivele të larta, goditja e pasurive me origjinë kriminale, krimi kibernetik, gjurmimi i kriptovalutave dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe bashkëpunimit me institucionet vendase e ndërkombëtare, mbeten sfidat kryesore të drjetësisë. Kështu deklaroi para deputetëve në Komisionin e Ligjeve kreu i SPAK, Klodian Braho teksa paraqiti raportin vjetor për vitin 2025. “SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 ish zyrtarë të lartë janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike. Këto të dhëna duhet të lexohen me kujdes institucional. Funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por edhe hetimi penal nuk mund të përbëjë arsye për paragjykim. Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ky standard kushtetues është i njëjtë për çdo person”, deklaroi kreu i SPAK.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 SPAK ka hetuar 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë çështje të reja, ndërsa janë përfunduar 216 hetime. Çështjet e reja për korrupsion u rritën nga 186 në 220, ndërsa në gjykatë u dërguan 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion në nivelet e mesme dhe të ulëta, si edhe 10 procedime me 13 zyrtarë të nivelit të lartë.
“Nga analiza e riskut, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, shkelja e barazisë në tendera publikë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe lidhja e disa rasteve të korrupsionit me krimin e organizuar mbeten fusha që kërkojnë vëmendje të shtuar. Kjo tregon se korrupsioni nuk është vetëm shkelje individuale. Në raste të caktuara ai shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike”.
SPAK bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë hetuar 261 procedime për krim të organizuar, me 445 persona nën hetim. Sipas drejtuesit të institucionit, grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë komunikime të enkriptuara, kompani fiktive dhe skema të sofistikuara për pastrimin e parave.
“Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se krimi i organizuar po shfaqet në forma më komplekse dhe më të sofistikuara. Grupet kriminale nuk veprojnë më vetëm me forma klasike. Ato përdorin ndarje të qartë rolesh, komunikime të enkriptuara, subjekte tregtare fiktive, transaksione informale, dhe investime në pasuri të paluajtshme. Hetimet e vitit 2025 tregojnë se trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i produkteve të veprës penale mbeten ndër prioritetet kryesore. Në profilin e riskut, grupi i strukturuar kriminal përbën 54 për qind të kësaj kategorie, trafikimi i narkotikëve 28.4 për qind dhe pastrimi i produkteve të veprës penale 24.3 për qind. Në të njëjtën kohë, Shqipëria në disa raste përdoret si vend tranziti, rekrutimi, koordinimi apo pastrimi të përfitimeve kriminale, ndërsa aktiviteti kryesor i grupeve shpesh shtrihet jashtë territorit të vendit”, vijoi kreu i SPAK.
