Edhe pse po pritet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, dekreti i presidentes Vjosa Osmani ka krijuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Partia në pushtet po kërkon zgjidhje që të evitohen zgjedhjet, e opozita mbështet dekretin e Osmanit.
Megjithatë njohës të fushës paralajmërojnë se shkuarja në zgjedhjet e reja do të ketë ndikim negativ në planin e zhvillimit të brendshëm dhe në arenën ndërkombëtare.
“Tash po hymë me vitin e dytë të një bllokade totale edhe ky stagnim ka ndikim në gjitha sferat, veçanërisht në raportet ndërkombëtare, sepse asnjë proces ndërkombëtar i Kosovës nuk do të mund të avancoj përderisa të jetë kjo gjendje. Kjo i largon edhe më teje aleatët tanë, veçanërisht BE-në dhe Shtetet e Bashkuarat e Amerikës nga Kosova, nga interesimi për Kosovën, kjo e pamundëson anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, njohjet e reja, pra do të jetë një stagnim i plotë”, ka thënë analisti Artan Muhaxheri.
Pasoja paralajmërohen edhe në ekonominë e vendit.
“Kur nuk ka ligje, kur nuk aprovohen sitën direktivat e përgjithshme të qeverisë për me ruajt stabilitetin tregtar, atëherë natyrisht që tregu funksionon në veprimin e vetë. Në këtë kontekst, kur e sheh që nuk është i monitoruar edhe nuk është i përcjell, respektivisht i vëzhguar nga institucionet, atëherë kemi ngritje të çmimit në treg që e ndikon drejt në standartin social e ekonomik qytetarëve”, ka thënë Nagip Skenderi, profesor i ekonomisë.
