Irani ka thënë se është i gatshëm që të bisedojë me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse bisedimet nuk janë nën detyrim dhe nuk e përfshijnë programin raketor të Iranit, përderisa diplomatët po mundohen që ta largojnë rrezikun për një konflikt rajonal.
Pas takimeve me diplomatët turq të premten, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij është “i gatshëm që të fillojë bisedime, nëse ato mbahen mbi bazën e barazisë, të mbështetura në interesat reciproke e respektin e ndërsjellë”, raporton gazeta “The Guardian” .
Ai tha se nuk ka plane të menjëhershme për t’u takuar me zyrtarë amerikanë, duke shtuar: “Dua që të deklaroj në mënyrë të vendosur se kapacitetet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë temë për t’u biseduar.”
Kryediplomati iranian më tutje shtoi: “Republika Islamike e Iranit, njësoj siç është e gatshme për bisedime, është gati edhe për luftë.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se shpreson që t’i shmangë veprimet ushtarake dhe la të kuptohej se bisedimet me Iranin janë ende të mundshme, edhe pse Uashingtoni dislokoi një luftanije tjetër në Lindjen e Mesme, duke iu bashkuar aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa luftanijeve të tjera të armatosura me raketa.
