Gurakuç Kuci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj pretendimeve për persekutim të serbëve ortodoksë në Kosovë, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës serbe dhe një përpjekje për të shtrembëruar realitetin.
Ai ka theksuar se Kosova ka krijuar një sistem të veçantë të mbrojtjes së objekteve fetare ortodokse, i cili, sipas tij, nuk ka të ngjashëm në Evropë.
“Rreth 170 objekte ortodokse në Kosovë mbrohen vazhdimisht nga Policia e Kosovës nëpërmjet patrullimeve të rregullta, mbikëqyrjes së varrezave dhe objekteve, shtimit të patrullave në rast të ndonjë rreziku potencial dhe reagimit ndaj informacioneve për kërcënime”, ka shkruar Kuci.
Sipas tij, 24 kisha dhe manastire ortodokse ruhen me prani fizike të Policisë së Kosovës 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, ndërsa mbi 40 objekte të Kishës Ortodokse Serbe dhe hapësirat përreth tyre janë të përfshira në Zona të Veçanta të Mbrojtura.
Kuci ka rikujtuar se që nga marsi i vitit 2013 funksionon edhe Njësia për Sigurimin e Objekteve dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare, e cila është e angazhuar ekskluzivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, me theks të veçantë në objektet ortodokse.
Ai ka theksuar se çdo dëmtim i kishave, përdhosje e varrezave, shkrim kërcënues apo sulm ndaj objekteve fetare trajtohet si vepër penale, ndërsa rastet me motiv etnik ose fetar procedohen edhe si krime të urrejtjes.
