Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës solemne në kuadër të shënimit të Pavarësisë së Kosovës, tha se sot është ditë përkujtimi për të gjithë që flijuan shumëçka e gjithçka për lirinë që populli gëzon sot.
Prandaj, siç tha ai, nuk ka kompromis me Republikë dhe sovranitet.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra dhe gra e fëmijë, që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës, së paku që nga viti 1968 e më tej, ndoshta s’e kishin të njëjtin vizion se si do të ishte Republike, por kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillim”, tha Kurti.
