Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për televizionin francez France 24 se pret që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë javëve ose muajve të ardhshëm.
Në intervistë, Kurti ka shprehur keqardhje që Kosova, katër vjet pas aplikimit për anëtarësim në BE, ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Ai ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka këtë status, duke ia atribuuar vonesën faktit se Këshilli Evropian nuk i ka kërkuar Komisionit Evropian të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës.
“Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit, demokracisë zgjedhore dhe demokracisë liberale”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar në procesin e integrimit evropian, por një proces të bazuar në meritë.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara. Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë. Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi me përkushtim dhe kujdes mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur dinamikat e brendshme në Këshillin e BE-së si arsye për vonesën e nisjes së këtij procesi, duke iu referuar pesë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë.
I pyetur nëse Kosova mund t’ua ndryshojë qëndrimin këtyre shteteve, Kurti ka thënë se bashkëpunimi dhe komunikimi me to është rritur.
Ai ka përmendur si shembuj njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.
“Ne u kemi kërkuar që t’i bashkohen shumicës, 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin. Ka pasur njëfarë përparimi gradual. Këto janë shenja pozitive, por njohja ende nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Kurti.




