Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në X për takimin e djeshëm me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke theksuar se në këtë takim është riafirmuar përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE, një synim që, sipas tij, pasqyrohet në forcimin e demokracisë dhe rritjen ekonomike të vendit.
“Ishte kënaqësi e madhe ta mirëpres Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë dje, ku ndër të tjera, riafirmuam përkushtimin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – një qëllim që pasqyrohet edhe në forcimin e demokracisë sonë dhe në rritjen e ekonomisë, veçanërisht gjatë katër viteve e gjysmë të fundit,” ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se me presidenten Von der Leyen kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në disa fusha me rëndësi.
