Nga 38 komunat e Kosovës, 21 prej tyre e përmbyllën garën për kryetarë komunash në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në Ferizaj, garën e ka fituar sërish Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me mbi 56 për qind të votave.
Gara ka përfunduar pa balotazh edhe Lipjan, me fitoren e Imri Ahmetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai i ka fituar mbi 51 për qind të votave.
Podujevën e ka fituar Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) me mbi 53 për qind.
Në qytetin e Skënderajt, fitore bindëse ka shënuar Sami Lushtaku i PDK-së me mbi 83 për qind të votave.
Njëjtë ka ndodhur edhe me Kamenicën. Atje ka fituar Kadri Rahimaj i LVV-së me mbi 50 për qind të votave.
Istogun e ka fituar Ilir Ferati i LDK-së me 58 për qind të votave.
Qytetin e Shtimes e ka fituar LVV-ja me Qemajl Aliun me mbi 50 për qind të votave.
Malishevën e ka fituar Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate me mbi 53 për qind të votave.
Në Deçan ka fituar Bashkim Ramosaj i AAK-së me mbi 51 për qind të votave.
