Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar si të papranueshme kërkesën e Naim Smajlit, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e djalit të tij, E.S për çështje pronësore.
Smajli kishte bërë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila kishte lënë në fuqi dënimin prej 25 vjet burgim ndaj tij. Ai ka pretenduar se i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën për barazi para ligjit dhe për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket aspektit kronologjik, Sipas dosjes së rastit, Naim Smajli dyshohej se më 13 qershor 2022, në fshatin Bajçinë të Podujevës, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore, kishte vrarë djalin e tij, E.S. Për këtë rast, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe për armëmbajtje pa leje.
Më 29 mars 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim. Gjykata konstatoi se Smajli kishte vepruar me dashje. Veç kësaj, sipas Kushtetueses, Themelorja e kishte nxjerrë aktgjykimin e saj duke u mbështetur në deklaratat e dëshmitarëve, ekspertizat forenzike, raportin e autopsisë, ekzaminimet e ADN-së dhe deklaratat e vet të akuzuarit. Si rrethana rënduese, thuhet se ishte marrë parasysh konflikti i vazhdueshëm me viktimën, përgatitja për kryerjen e veprës dhe rrezikshmëria e lartë shoqërore, ndërsa si rrethana lehtësuese mosha dhe sjellja korrekte gjatë gjykimit.
Pas kësaj, më 29 prill 2024, Smajli ishte ankuar në Gjykatën e Apelit me pretendimet për shkelje procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shqiptim të padrejtë të dënimit. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Prokuroria kërkoi dënim më të ashpër, përkatësisht burgim të përjetshëm.
Kushtetuesja, në vendimin e saj sqaron se më 28 qershor 2024, Gjykata e Apelit i refuzoi të dyja ankesat dhe la në fuqi dënimin prej 25 vitesh burgim. Këtë rast e kishte monitoruar edhe “Betimi për Drejtësi”.
Më 27 gusht 2024, Smajli kishte paraqitur më pas kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, e cila e kishte refuzuar si të pabazuar, duke vlerësuar se vendimet e gjykatave më të ulëta ishin të qarta, të ligjshme dhe të mbështetura në prova të mjaftueshme. Por, Supremja në vendimin e 10 tetorit 2024, kishte konstatuar se ekspertizat psikiatrike nuk kishin gjetur probleme të aftësisë mendore te i dënuari dhe se deklarata e tij në Polici ishte marrë në mënyrë të ligjshme, në prani të avokatit.
Ndërsa në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se thelbi i ankesës së Naim Smajlit kishte të bënte me pretendimin për shkelje të parimit të “barazisë së armëve”, pra mungesën e trajtimit të barabartë ndërmjet mbrojtjes dhe Prokurorisë gjatë procedurës gjyqësore. Sipas Smajlit, gjykatat kishin refuzuar kërkesën për dëgjimin e disa dëshmitarëve në favor të tij dhe kërkesën për një super-ekspertizë psikiatrike, ndërkohë që ekspertiza fillestare ishte realizuar me kërkesë të Prokurorisë.
