Përfaqësuesja e përhershme e Danimarkës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ambasadorja Christina Markus Lassen, ka kërkuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, më 20 tetor, Lassen tha se Kosova duhet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta përmbushë zotimin për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ajo theksoi se të dyja palët kanë përgjegjësi dhe se përparimi i qëndrueshëm kërkon zbatimin e zotimeve me mirëbesim, pa përzgjedhur vetëm obligimet që u përshtaten.Danimarka mirëpriti formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, si dhe zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se këto zhvillime krijojnë mundësi për rikthimin e vazhdimësisë institucionale dhe avancimin e reformave të nevojshme.
Lassen tha se stabiliteti institucional duhet të krijojë hapësirë të re për angazhim thelbësor në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo vlerësoi përparimin praktik të arritur gjatë këtij viti, përfshirë marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt, si shembull të bashkëpunimit që mund të sjellë zgjidhje për qytetarët.Ambasadorja daneze kërkoi gjithashtu përfshirje më të madhe të serbëve të Kosovës në institucionet publike dhe trajtim të shqetësimeve të komuniteteve joshumicë. Ajo theksoi se vendimet që i prekin këto komunitete, përfshirë çështjet pronësore, shembjet dhe dëbimet, duhet të merren pas konsultimeve kuptimplota.




