Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur besimin e saj të plotë se Gjykata Kushtetuese do të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe të japë një vendim të drejtë lidhur me situatën aktuale të bllokadës institucionale.
Në një deklaratë për shtypin, LDK-ja thotë se lënda e dorëzuar nga partia, para Gjykatës Kushtetuese, ka në thelb një fakt të pakontestueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhje nuk e ka zbatuar agjendën e seancës konstituive, duke refuzuar të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit.
“Përkundrazi, përmes insistimit të përsëritur – plot 48 herë – është kërkuar votim jashtë rendit të ditës dhe jashtë procedurës kushtetuese, në vend se të propozohej kandidati për Kryetar Kuvendi siç kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
Kjo sjellje ka prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar se subjekti në fjalë nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon të parit” thuhet në deklaratë.