Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ka spekulime që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’i lëshojë pe LDK-së në Prishtinë dhe t’ia jap presidentin, që ta marrë Mitrovicën.
Lekaj tha se këto janë vetëm spekulime që Kurti ia lëshon Prishtinën LDK-së, plus presidentin dhe të bëjnë koalicion për krijimin e qeverisë, por tha se ai vet është i thirrur t’i besoj lidershipit të LDK-së. “Ka spekulime që ndoshta Kurti do të lëshojë pe në Prishtinë që ta marrë Mitrovicën, që t’ia jep presidentin LDK-së. Janë vetëm spekulime që ia lëshon Prishtinën LDK-së plus presidentin dhe të bëjnë koalicion për krijimin e qeverisë e në Mitrovicë LDK-ja ta përkrah Pecin. Unë jam i thirrur t’i besoj lidershipit të LDK-së se kanë thënë se nuk do të kenë koalicion me Vetëvendosjen”, tha Lekaj në “DPT te Fidani” në klankosova.
Ndërsa, votimin e nënkryetarit serb, Nenad Rashiq, nga ana e LDK-së, Lekaj tha se e sheh si gabim, teksa shtoi se kjo ishte e përgatitur mirë nga Kurti dhe se LDK-ja ra në kurth, “Unë e shoh si gabim të LDK-së votimin për Rashiqin. Ka mundur të presin të hënën ta votojnë Rashiqin e jo të ndikojë në zgjedhje lokale sepse ngutia e nominimit të Kurtit nga presidentja një ditë para zgjedhjeve, mendoj se këtu e ka bërë një rritje të vogël për Vetëvendosjen”.
