Përfaqësuesit e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Musa Metaj dhe Valmir Loxhaj, kanë zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, D.C., me Andrew Caruso, shef i Zyrës për Kosovën.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, turizmit dhe digjitalizimit, me fokus në rritjen e investimeve amerikane, zhvillimin e bizneseve kosovare dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Njoftimi i plotë:
Anëtari i Bordit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Musa Metaj, së bashku më kordinatorin e Lidhjes së Bizneseve Kosovë/ New York ,afariatin Valmir Loxhaj, zhvilluan një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, D.C., me z. Andrew Caruso, Shef i Zyrës për Kosovën.
Ky takim përfaqëson një mundësi të rëndësishme për avancimin e komunikimit institucional dhe ekonomik, si dhe për promovimin e potencialit të Kosovës si vend për investime, zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritete ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit në sektorët e energjisë, turizmit dhe digjitalizimit, fusha me rëndësi të veçantë për transformimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Për Kosovën, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike, por duhet të shndërrohet gjithnjë e më shumë në investime konkrete, partneritete biznesore, qasje në tregje të reja, transferim të teknologjisë dhe mundësi të reja për prodhuesit dhe ndërmarrësit kosovarë.





