Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset, vendim të cilin thanë se e kundërshtojnë fuqishëm e të cilin e cilësuan edhe si të jashtëligjshëm.
Në reagim u tha se veprime të tilla të ZRrE-së janë të ngutshme dhe sipas tyre, tregojnë se bordi i ZRrE-së e ka humbur fokusin në interesin publik, duke dërguar mesazhin se mbron interesa individuale dhe rrezikon drejtpërdrejt ekonominë e vendit.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje spektrit politik të formojë sa më shpejt institucionet, të shkarkojë bordin e ZRRE-së dhe të ndalojë menjëherë këto veprime që po dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit”.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje spektrit politik, Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit në detyrë që të mos heshtin, por të veprojnë për të mbrojtur Republikën dhe ekonominë para se të bëhet vonë. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve shkatërruese”, thuhet në reagim.