NISMA Socialdemokrate është deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
NISMA ka thënë se kjo seancë është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike.
Tutje thuhet se tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime.
Komunikata e plotë:
NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!
Prej muajsh, vendi ndodhet në krizë të qartë politike për shkak se nuk ekziston shumicë parlamentare. Ky është realitet i konfirmuar publikisht dhe zyrtarisht nga të gjitha partitë politike gjatë takimeve me Presidenten e Republikës. Përkundër kësaj, janë zvarritur proceset, janë shpikur skenarë dhe janë krijuar iluzione për shumicë që nuk ekziston.
NISMA Socialdemokrate ka qenë forca më konstruktive në këtë periudhë të vështirë.
