Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka reaguar në 20 vjetorin e aktgjykimit lirues ndaj tij në Hagë. Ai ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës foli qartë “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe në mbrojtje të një populli që luftoi për të jetuar i lirë”.
Limaj thotë se ballafaqimi në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues.
“Ballafaqimi ynë gjyqësor në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues. Në atë kohë Kosova nuk ishte shtet dhe ne ishim pa asnjë përkujdesje institucionale, pa mbrojtje të organizuar, ashtu siç do të duhej ta kishim në një proces të tillë gjyqësor. Edhe ne si individë, edhe e vërteta e luftës sonë çlirimtare, për herë të parë po sfidoheshin në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare në Hagë. Në gjithë këtë proces e kishim të vërtetën e UÇK-së dhe mbështetjen e popullit.”
Ai shton se “është trishtuese që edhe sot, pas 20 viteve, lufta jonë çlirimtare vazhdon të testohet e sfidohet po në Hagë, në gjykimin e bashkëluftëtarëve tanë”.
