Kompania Qendra Shpk, e cila operon me linjën e autobusëve 3A në Prishtinë, ka paralajmëruar se shërbimi i transportit urban rrezikon të ndërpritet për shkak të mospagesave nga Komuna e Prishtinës për shtatë muaj rresht.
Përmes një thirrjeje urgjente për reagim, kompania ka bërë të ditur se bllokada e buxhetit të Komunës e ka lënë pa pagesa për shërbimet e kryera, duke shkaktuar vështirësi të mëdha financiare.
Sipas njoftimit, kompania përballet me qindra mijëra euro detyrime për furnizim me naftë, paga të punonjësve dhe mirëmbajtje teknike.
Qendra Shpk ka theksuar se një situatë e tillë financiare nuk i ka ndodhur që nga viti 2006, duke paralajmëruar se, në mungesë të pagesave, mund të detyrohet ta ndërpresë punën.


