Gjykata Supreme ka vendosur që kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor në Prizren, Nysret Bytyqi, t’i ndërpritet masa e paraburgimit. Ai dyshohet për manipulim me vota në Prizren, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Sipas njoftimit të Supremes ai është liruar për t’u mbrojtur në liri.
“Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka ndryshuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, lidhur me caktimin dhe vërtetimin e masën së paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale falsifikimi i rezultatit të votimit. Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore, nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm lidhur me ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
