Lista Studentore do ta vazhdojë dialogun me Kosovën, të zhvilluar gjatë qeverisjes së mëparshme.
Kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, thotë Illija Sërdanoviq, i pari në listën që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Sërdanoviq thotë se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Kjo vlen për marrëveshjet politike, ndërsa sa u përket kontratave me kompanitë e huaja për investime në Serbi, ato do të respektohen “nëse janë në përputhje me sistemin juridik të Serbisë dhe aktet ndërkombëtare”.
Sërdanoviq thekson, gjithashtu, se Serbia do ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe se do të bëhet gjithçka që qytetarët të informohen për përfitimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai përsërit thirrjen për shmangien e çdo forme revanshizmi në Serbi, dhe thotë se përgjegjësinë për gjendjen aktuale të sigurisë e mban Qeveria në largim, e cila është në detyrë.
Sërdanoviq ishte i pari në Listën Studentore, i zgjedhur përmes vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, ishte organizimi pa një udhëheqës të vetëm.
Pas fitores bindëse ndaj forcave të Aleksandar Vuçiqit, të cilat qeverisën Serbinë për 14 vjet, shtrohet edhe pyetja se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër.
Sërdanoviq në përgjigjet e tij iu referua Kosovës si “Kosova e Metohija”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Sërdanoviq, si ndiheni në rolin e udhëheqësit të një liste që, në fakt, nuk ka udhëheqës?
Illija Sërdanoviq: Ndihem krenar. Para së gjithash, jam krenar për të gjithë qytetarët tanë, të cilët te Lista Studentore gjetën një rrugëdalje nga situata në të cilën ndodheshim prej vitesh në Serbi, të ekspozuar ndaj sistemit represiv të një regjimi autoritar, të pushtetit të mëparshëm dhe të një njeriu që tashmë i përket historisë politike, por që ka lënë gjurmë të pashlyeshme të zbrazëtisë në historinë tonë. Ai ishte në pushtet për 15 vjet dhe vazhdon të jetë i pranishëm.
Radio Evropa e Lirë: Forcat që ai udhëhoqi kanë humbur vetëm rreth 100 mijë vota. Ai vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme politike në Serbi. A jeni të vetëdijshëm se problemi, nëse mund ta quajmë kështu, nuk është zgjidhur?
Illija Sërdanoviq: Jo, nuk mund të pajtohem me ju dhe me këtë konstatim. Në kushtet e një shoqërie krejtësisht jodemokratike, në të cilën jetojmë, ku mungon plotësisht liria e mediave dhe ku regjimi i Aleksandar Vuçiqit kishte kontroll mbi gjithçka, të fitosh me gjysmë milioni vota më shumë do të thotë se, në rrethana normale dhe me kushte të mirëfillta demokratike, ai nuk do të merrte as 15 deri në 20 për qind të votave. Kjo është fuqia reale e pushtetit të mëparshëm.
Radio Evropa e Lirë: Forcat që fituan zgjedhjet përballen me sfida jashtëzakonisht të mëdha. Por, të ndalemi fillimisht te një çështje tjetër. Si do t’i përgjigjeni frikës nga hakmarrja politike? Si do t’i përgjigjeni dhunës dhe çfarë keni ndërmarrë në këtë drejtim? Pamjet që kemi parë gjatë hyrjes së dhunshme në televizionin Informer janë shqetësuese. Besoj se pajtoheni.
Illija Sërdanoviq: Do të pajtohesha vetëm me një gjë. Lista Studentore “Studentët fitojnë” e mbështet programin, planin dhe të gjitha aktivitetet e deritanishme, përfshirë ato të organizatës studentore, mbi parimet e sundimit të ligjit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve.
Këto parime do t’i udhëheqin edhe të gjitha veprimet tona të ardhshme.
Askush prej nesh, përfshirë mua personalisht, nuk ka bërë ndonjëherë thirrje për çfarëdo forme hakmarrjeje politike. Kemi kërkuar vetëm respektimin e rendit dhe të ligjit.
Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht dje, shumë anëtarë të listës sonë, përfshirë edhe mua, u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta përcjellin deri në fund procesin zgjedhor në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Ngjarjet që janë parë brenda dhe përreth medias proqeveritare Informer nuk janë nxitur, inkurajuar apo mbështetur nga Lista Studentore.
Ne mbështesim rendin dhe ligjin dhe duam që Serbia të funksionojë në këtë mënyrë në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: A mund të garantojë dikush se dhuna nuk do të përsëritet?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment, përgjegjësia për çdo formë dhune dhe për parandalimin e saj i takon pushtetit aktual, i cili është në mandat teknik.
Nga ana jonë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të përmbahen nga çdo formë dhune dhe të respektojnë rendin dhe ligjin.
Në momentin kur ta marrim zyrtarisht pushtetin, përgjegjësia për zhvillimet në vend do të bjerë edhe mbi ne.
Aktualisht, ne kemi fuqinë për të bërë thirrje, ndërsa fuqinë për të vënë në funksion sistemin e ka ende aparati shtetëror, i cili vazhdon të jetë nën drejtimin e pushtetit të mëparshëm në mandat teknik.
Kush do ta udhëheqë Qeverinë e re të Serbisë?
Radio Evropa e Lirë: Kur do ta mësojë publiku se kush do të jetë kandidati për kryeministër dhe kush do të jenë kandidatët për ministra?
Illija Sërdanoviq: Në këtë moment mund t’ju them se Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Rezultatet përfundimtare nuk do të dallojnë nga ato të publikuara në bazë të mostrës përfaqësuese dhe as nga rezultatet e materialit zgjedhor të përpunuar deri më tani. Prandaj, numri i mandateve do të jetë pak a shumë ai që kemi aktualisht.
Megjithatë, procesi zgjedhor përfundon zyrtarisht vetëm në momentin kur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i shpall rezultatet në përputhje me ligjin.
Vetëm pas kësaj krijohen kushtet për fazën tjetër: konstituimin e Kuvendit të ri, formimin e organeve parlamentare dhe më pas procesin e formimit të Qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: A do të përcaktohet emri i kandidatit për kryeministër brenda Listës Studentore, apo do të kërkoni sërish konsultime me forumet studentore në fakultete?
Illija Sërdanoviq: Formimi i Qeverisë do të bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Serbisë. Emrat, përkatësisht zgjidhjet për postet në Qeveri, do të përcaktohen nga grupi shumicë i deputetëve të Listës Studentore.
Radio Evropa e Lirë: A do të ishit të gatshëm ta pranonit një kandidaturë të mundshme për kryeministër? Si i pari në listë, kjo duket deri diku logjike.
Illija Sërdanoviq: Po, por që në fillim të bisedës sonë thatë se kjo është një listë pa udhëheqës.
Mund të themi se, për çdo pozitë, do të zgjidhet kandidati për të cilin ne, bashkërisht, do të vlerësojmë se mund të veprojë më së miri në interes të qytetarëve të Serbisë.
Integrimet evropiane dhe marrëdhëniet me Rusinë
Radio Evropa e Lirë: Ka interesim të madh për drejtimin që do të marrë pushteti i ri në Serbi. Prandaj, do t’ju bëj disa pyetje konkrete. Bashkimi Evropian: A do të vazhdoni rrugën e integrimeve evropiane? A do ta përshpejtoni këtë proces?
Illija Sërdanoviq: Ne mbetemi në rrugën e integrimeve evropiane. Serbia është zotuar për këtë proces që në vitin 2000, pra 26 vjet më parë. Kjo punë do të vazhdojë.
Por, ajo që mund të premtojmë është se nuk do ta përsërisim atë që bëri pushteti i mëparshëm, i cili gjatë 15 vjetëve humbi 20 për qind të mbështetjes së qytetarëve të Serbisë për integrimet evropiane.
Ky është rezultati përfundimtar i politikave të pushtetit të mëparshëm.
Ne do ta harmonizojmë plotësisht politikën tonë të brendshme me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, duke u mbështetur në vlerat e përbashkëta evropiane, respektimin e të drejtave dhe barazisë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe lirinë e mediave.
Këta kapituj përbëjnë pengesën kryesore për përparimin e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.
Radio Evropa e Lirë: Nëse ka një çështje për të cilën Evropa është aktualisht e bashkuar, ajo është qëndrimi ndaj Rusisë. Lista Studentore ka mbajtur qëndrimin se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Por, diçka duhet të ndryshojë. Çfarë do të ndryshojë në marrëdhëniet me Moskën?
Illija Sërdanoviq: Para së gjithash, siç thashë edhe më parë, kushti i parë dhe pengesa më e madhe aktuale për vazhdimin e integrimeve evropiane lidhet me kapitujt 23 dhe 24, përkatësisht të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Fatkeqësisht, deri më sot në Serbi nuk kemi pasur vlerat themelore të lirisë, të drejtave, demokracisë dhe lirisë së mediave. Nuk ka pasur dialog.
Qytetarët tanë nuk kanë informacion të plotë se çfarë u ofron në të vërtetë Bashkimi Evropian. Një numër i madh qytetarësh, të izoluar brenda një hapësire mediatike ku u janë servirur të pavërteta për më shumë se një dekadë e gjysmë, nuk mund ta njohin plotësisht as agjendën evropiane.
Shumë qytetarë thjesht nuk janë të informuar.
Radio Evropa e Lirë: A po thoni se, përmes dialogut, do ta rishqyrtoni edhe qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë?
Illija Sërdanoviq: Sigurisht që do të ketë dialog brenda shoqërisë sonë. Të gjitha çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të trajtohen përmes një dialogu të hapur me qytetarët tanë.
Politika nuk mund të përcaktohet nga një njeri i vetëm.
Ne jemi përpjekur dhe kemi arritur që një sistem i tillë qeverisjeje, ku një njeri vendos se nga do të shkojmë dhe në cilin drejtim do të lëvizim si komb, të mos përsëritet më kurrë në Serbi.
Do të hapim dialog dhe do t’u japim qytetarëve mundësinë të zgjedhin drejtimin që ata e konsiderojnë më të mirin për veten.
Por, ai dialog duhet të jetë i hapur dhe transparent, jo i formësuar nga regjimi, siç ka ndodhur gjatë 15 apo 20 vjetëve të fundit.
Radio Evropa e Lirë: Pra, nëse ju kuptoj drejt, qëndrimi ndaj sanksioneve kundër Rusisë mund të rishqyrtohet?
Illija Sërdanoviq: Kjo mund të nënkuptojë se për këtë çështje do të vendosin qytetarët e Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Si? Përmes referendumit? Më ndihmoni ta kuptoj.
Illija Sërdanoviq: Ngjashëm si në marrëdhëniet me të gjitha shtetet e tjera.
Politika e jashtme duhet të formësohet në përputhje me kërkesat dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve, jo sipas mendimit të një njeriu apo të një grupi shumë të vogël njerëzish që marrin vendime në vend të qytetarëve.
Kjo nuk është demokraci.
Dialogu me Kosovën dhe Marrëveshja e Brukselit
Radio Evropa e Lirë: Lista Studentore ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen e Kosovës. Por, a do ta vazhdoni dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve?
Illija Sërdanoviq: Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës dhe Metohisë është pjesë themelore e planit studentor.


