Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Jehona Lushaku ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Testit PISA 2025, duke i cilësuar ato si “turp qeveritar”.
Lushaku-Sadriu ka thënë se rezultatet janë shqetësuese, jo vetëm për shkak se Kosova vazhdon të renditet në fund të tabelës, por edhe për faktin se, sipas saj, nuk ka pasur përmirësim të njohurive të nxënësve gjatë dekadës së fundit.
Sipas saj, rezultatet tregojnë se rreth tre në katër nxënës në Kosovë nuk arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.
“Fëmijët kalojnë rreth një dekadë në sistemin arsimor dhe një pjesë dërrmuese e tyre arrijnë moshën 15-vjeçare pa kompetencat bazë, që shkolla duhet t’ua japë”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka krahasuar rezultatet e vitit 2025 me ato të vitit 2015. Ajo ka theksuar se Kosova kishte 362 pikë në matematikë në vitin 2015, ndërsa sot rreth 350 pikë. Në lexim, sipas saj, rezultati ka rënë nga 347 në rreth 340 pikë, ndërsa në shkencë nga 378 në rreth 357 pikë.




