Në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar figurën e tij, duke e cilësuar si bashkëluftëtar dhe atdhetar të madh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku ka shprehur respekt për veprën dhe kontributin e Hilmi Haradinajt gjatë periudhave më të vështira për Kosovën.
“Sot në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me respekt të thellë bashkëluftëtarin dhe atdhetarin e madh të kombit, Bacën Hilmi Haradinaj”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka thënë se Hilmi Haradinaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për lirinë e Kosovës, duke u bërë, sipas tij, shembull i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
“Baca Hilmi i dha gjithçka Kosovës në ditët më të rënda të saj, duke qëndruar i pathyeshëm në përballje me sfidat e kohës, për t’u bërë shembull i sakrificës dhe dashurisë për atdheun”, ka deklaruar Lushtaku.
