Dy persona të dyshuar për përfshirje në trafikimin e narkotikëve janë arrestuar, ndërsa gjatë operacionit janë konfiskuar 53 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, me vlerë rreth 80 mijë euro në tregun vendor.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar mbrëmë rreth orës 21:40, pas disa muajsh hetime në kuadër të rastit të koduar “MALI”, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Të dyshuarit dyshohet se ishin të përfshirë në blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe në përgatitjet për transportimin e tyre jashtë vendit.

Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar dy shtëpi dhe objektet përcjellëse. Në bagazhin e njërës prej veturave është gjetur dhe konfiskuar substanca e dyshuar narkotike.

