Politologu Albinot Maloku, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së presidentit, e ka quajtur të pakuptimtë.
Ai tha se fakti se është vendosur afat, është nonsens.
“Periudha që nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 ishte me vullnet nga spektri politik në vend që ta bëjnë të pasqarueshme situatën. Kishin një dorë të mirë edhe nga Gjykata Kushtetuese në momente specifike dhe tani kemi ardhur në momentin që na duket se jemi duke i përjetu këto dy tema të mëdha, që i përkasin Dhomave të Specializuara dhe zgjedhja e shefit të shtetit, afat ky i vendosur nga Kushtetuesja që sipas mendimit tim, ishte jo i duhuri. Ka dhënë afate, që është nonsens në formën se si ka rrjedhur procesi”, tha Maloku
Sipas tij, përgjigja e Kushtetueses ka ardhur në këtë formë ose sepse pyetja nuk i është bërë si duhet, ose vetë Gjykata e ka bërë interpretimin nga një vullnet i ndikuar nga rrethanat politike.
“Ose ka qenë pyetja jo e duhur drejtuar Kushtetueses ose Gjykata ka bërë këtë interpretimin e fundit, këtë 60 ditëshin shtesë për çështjen e shefit të shtetit, nga një vullnet i ndikuar nga rrethanat politike në vend, ndoshta për të qenë njëfarë rrugëzgjidhësi edhe politik që në gjykimin është jo e drejtë”.
“Për mua është e paqartë se si është e mundur që Gjykata Kushtuese me i ndryshu rrethanat kushtetuese në vend për momente specifike të proceseve zgjedhore të formimit të institucioneve”, deklaroi Maloku.
Ndër të tjera, ai tha se zhvillimet e fundit në vend, e sidomos 16 shtatori, dita kur u shpall aktgjykimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, do të duhej të bënin bashkë spektrin politik.
“Pastaj na del çështja e zgjedhjes së presidentit, e cila do të duhej të ishte në një vijë krejt tjetër, siç ka qenë 7 qershori dhe i gjithë procesi i saj. Por, fatkeqësisht patëm 16 shtatorin i cili është i dhimbshëm për mua të shfrytëzohet politikisht ose për një rrethanë siç është shefi i shtetit. Do të duhej që 16 shtatori të mos ketë asnjë ndasi për sa i përket angazhimit në instancë të fundit dhe krijimit të një rrethane të re nga vendi”, theksoi politologu.
Sa i përket vendimit të Qeverisë për të dërguar përgjigjet në Kuvend në lidhje me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ai tha se “e kanë lexuar dhe e kanë parë që nuk ka ndonjë peshë shumë të veçantë që do të ngarkonte rrjedhën juridike ligjore sa i përket ligjit bazë të Dhomave të Specializuara, dhe për rrjedhojë mund ta kenë proceduar në këtë mënyrë të përshpejtuar”.
Ai përmendi edhe deklarimin e shefes së BE-së, Ursula von der Leyen, e cila, sipas tij, “la disa hapësira që në instancë të fundit jeni ju përgjegjës për të vepruar në aspektin ligjor, dhe sikur e relaksoi partinë e parë për të ecur shumë më përpara dhe për të porceduar në mënyrë se si e procedoi ligjin në fjalë”.