Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë të thellohen, pas rezultatit të fundit zgjedhor dhe debatit për drejtimin e partisë.
Debati është përshkallëzuar pas një postimi të anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, i cili ka dalë në mbrojtje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe ka akuzuar disa figura brenda partisë për sabotim të procesit zgjedhor.
“Ndryshimet në LDK mund t’i bëjë vetëm vullneti i anëtarësisë së saj! Por ato nuk mund t’i udhëheqin ata që në disa palë zgjedhje kanë folur më shumë për rënien e LDK-së sesa për ringritjen e saj… Ata që e sabotuan LDK-në në këtë proces zgjedhor. Dhe ata kanë emër dhe mbiemër”, ka shkruar Manaj.
Ai ka theksuar gjithashtu se vizioni i Abdixhikut për bashkëpunim politik ka pasur efekt pozitiv në parti.
Ky reagim ka nxitur kundërpërgjigje nga kryetari i Degës së LDK-së në Deçan, Jeton Mushkolaj, i cili ka reaguar me tone të ashpra ndaj Manajt, duke e kujtuar të kaluarën e tij brenda strukturave të partisë.
“Nuk jam njeri që reagoj në postime, veç beso s’po mundem mu përmbajt. Kur po të shoh ty e disa të tjerë tuj fol për interesa të LDK-së e për sabotime… e deri dje në kryesinë e degës nuk të ka lonë Haki Rugova… po e nal veten”, ka shkruar Mushkolaj.
Në përgjigjen e tij, Shkëmb Manaj ka reaguar duke thënë se ka të drejtë të flasë për interesin e LDK-së, duke theksuar se është përfaqësues i partisë dhe anëtar i Kryesisë Qendrore.
