Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë prezantimit të Strategjisë “Serbia 2030”, e ku ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe se “aktualisht në Kosovë nuk ka partner për të folur”.
Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto deklarata janë vazhdim i një narrative politike që mohon realitetin dhe synon të mbajë nën tension të gjithë regjionin.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve të saj. Ky realitet është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet përmes deklaratave politike apo strategjive të brendshme të Serbisë”, ka thënë Maqedonci.
Për deklaratat e tjera të Vuçiqit ku ka paralajmëruar rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake, investime shumë miliardëshe në armatim, zhvillim i industrisë së dronëve dhe krijimi i një ushtrie të avancuar digjitale, ai ka thënë se dëshmojnë për një proces të vazhdueshëm të militarizimit të Serbisë.
“Kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime të drejpërdrejta territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë tonë si dhe me projektin hegjemonist “Bota Serbe”, ato krijojnë shqetësime reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Kjo është veçanërisht problematike duke pasur parasysh edhe veprimet destabilizuese që kemi parë në vitet e fundit, përfshirë mbështetjen dhe organizimin e strukturave terroriste e paramilitare që kanë kryer akte të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës, siç ishte sulmi agresor dhe terrorist në Banjskë. Këto zhvillime tregojnë qartë se qasja hegjemoniste e qarqeve politike në Serbi shpesh përkthehet me veprime konkrete që rrezikojnë sigurinë rajonale”, ka thënë Maqedonci.
