Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur së fundmi për raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i VV-së, përmendi edhe heqjen e masave të Bashkimit Evropian, duke theksuar se “gjithmonë kanë qenë të padrejta”.
“Sa i përket raporteve me Bashkimin Evropian, mua më duhet të them që Bashkimi Evropian i hoqi masat të cilat gjithmonë kanë qenë të padrejta, nuk është që tash gjendja ndyshoi drastikisht. Është vetë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, vitin e kaluar, në tetor, ka thënë që masat duhet të hiqen, dhe ato më në fund u hoqën. Më mirë vonë se kurrë, ndonëse jemi shumë të vonuar, por ne jemi edhe një qeverisje që ka siguruar liberalizimin e vizave. Më herët kemi pasur shampanjë për heqjen e vizave, dhe asnjëherë nuk janë hequr ato, e kësaj radhe u hoqën, por pa nevojë për shampanjë”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i ka përshkruar si tri-dimensionale, duke përfshirë zhvillimin, diplomacinë dhe mbrojtjen.
