Analisti politik, Halil Matoshi ka komentuar zhvillimet e fundit brenda LDK-së, duke vlerësuar rolin historik të kësaj partie dhe nevojën për një proces të thellë debati politik në periudhën që po kalon.
Në një prononcim për Lajmi.net, Matoshi ka thënë se LDK ka qenë forca që ka emancipuar politikisht shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe më gjerë, duke e cilësuar atë si një shkollë të demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
“LDK ishte emancipuesja politike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe më gjerë. Ajo ishte një shkollë e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe i ka thënë jo fashizmit”, ka deklaruar Matoshi.
Sipas tij, skena politike në Kosovë do të ishte e varfëruar pa ekzistencën dhe peshën politike të LDK-së.
“Skena politike kosovare është e shkretë pa polin politik të Lidhjes Demokratike”, është shprehur ai.
Duke komentuar thirrjet për unitet brenda partisë, Matoshi ka thënë se nuk beson se ato përbëjnë zgjidhje për krizën aktuale.
“Nuk është punë imja të bëj thirrje për unitet, sepse kjo është një thirrje bizare dhe dogmatike”, ka theksuar ai.
