Njëzetenjë prokurorë të rinj të shtetit do t’i shtohen Prokurorive Themelore nëpër Kosovë, e për këto pozita kanë aplikuar 153 kandidatë, testimi i të cilëve me shkrim po mbahet në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar sot mbajtjen e Testit me Shkrim për kandidatët për prokurorë të shtetit, i cili është duke vazhduar si fazë e përcaktuar në kuadër të procedurave të rekrutimit dhe emërimit të njëzetenjë (21) prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Në respektim të parimit të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë në qasje, kanë bërë të ditur se testi është hartuar sot, në ditën që edhe po mbahet testimi, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim, siç thonë, të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit të rekrutimit.
