Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave me postë është drejt përfundimit, ndërsa ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime nga disa qendra jashtë vendit. Këto janë votat e fundit që mbeten pa numëruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po numërohen votat që i përkasin pjesës së dytë të votimit me postë, tërhequr nga kutitë postare më 2 dhe 5 janar.
“Më 2 janar janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar janë tërhequr 11,867 pako. Pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit. Rreth 16 mijë pako janë aprovuar dhe aktualisht janë në proces numërimi,” tha Elezi në konferencë për media.
Ai ka shtuar se ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr në qendrat e votimit në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Ottawa. Sipas KQZ-së, këto pako pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim.
