Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, ka njoftuar se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në këtë komunë pas vërshimeve që ndodhën sot atje.
“Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i Komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar ai.
Kastrati theksoi se fatkeqësisht, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme, duke krijuar vështirësi serioze për shumë familje.
