Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe N.S. për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vitit 2023 përmes komenteve në Facebook.
Lidhur me këtë vendim të PSRK-së ka reaguar së fundmi vetë Klinaku, i cili tha se lajmin po e kupton nga mediat.
I njëjti u shpreh gjithasht entuziast për “ballafaqimin” me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka shkruar ai, përcjell Insajderi.
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 29 gusht 2023, Faton Klinaku akuzohet se ka postuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti në profilin e tij personal, me qëllim frikësimi dhe detyrimi për të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime zyrtare.
