Ngjarja rreth kushteve skandaloze në Klinikën e Pediatrisë në QKUK ka marrë një kthesë edhe më të rëndë. Nëna e cila denoncoi publikisht mungesën e sapunit, çarçafëve dhe rrezikun e infeksioneve, ka bërë të ditur se ndaj saj ka filluar të ushtrohet presion direkt brenda hapësirave të spitalit, ku po qëndron duke u kujdesur për djalin e saj dyvjeçar.
Përmes një postimi të dytë në Facebook, ajo ka rrëfyer se është vizituar nga zyrtarë të spitalit në orët e vona të natës dhe të mëngjesit të sotëm, duke iu kërkuar llogari me ngulm dhe me tone urdhëruese për statusin e saj publik.
Sipas dëshmisë së nënës, menaxhmenti apo zyrtarët e klinikës, në vend të reflektimit për kushtet e tmerrshme, kanë zgjedhur rrugën e ballafaqimit me prindin që ndodhet në dhomë me fëmijën e sëmurë.
Mbrëmë, rreth orës 23:30 më kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoj ato që kam shkruar në status. Sot, rreth orës 10:30 më kanë vizituar prapë, me ç’rast më është thënë se ato që kam shkruar janë të pasakta dhe më është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke më thënë se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, ka shkruar ajo.
Nëna ka sqaruar se nuk refuzon t’i ndjekë rrugët zyrtare për ankesë, por ka theksuar se prioriteti i saj absolut në këto momente është shëndeti i djalit të saj, Gjergjit, trajtimi i të cilit ende nuk ka përfunduar.
