Zylyf Isufi është mjeku i parë dhe i vetmi në Shqipëri që ka sfiduar thellësitë e detit. Ai është specialist i vetëm i fiziologjisë së marinës në vend.
Ai është kthyer pas në kohë teksa kujton se gjatë karrierës së tij ka lundruar 22 ditë me nëndetëse në 50 metra thellësi.
“Në 1969 u bëra mjek fiziolog i Brigadës së Nëndetëseve, me gradën përkatëse. Shkuam grupi për specializim në Kinë, nga Pekini në Shangai, për të mësuar praktikat më të avancuara për shëndetin e ekuipazheve nën ujë.
Në vitin 1971 nisëm punën në Pashaliman, ku punova deri në fund të viteve 1980 si mjek fiziolog dhe mjek shëndetësie i bazës. Ishte përgjegjësia ime që, para çdo lundrimi, të zgjidhja efektivin, të ndaheshin zhytjet lehtë dhe të rënda, dhe të siguroja që ekuipazhet të punonin në kushte optimale”, u shpreh ai.
Mjeku u shpreh se në Vaun e Dejës pastroheshin tunelët dhe se ai isha i vetmi që merrej me këtë.
“Shumë herë shkonim pa ditur saktësisht çfarë do të ndodhte, por unë identifikoja parametrat funksionalë të çdo personi: sa mund të durojnë mjedisin, sa duhet të qëndrojnë poshtë dhe kur duhet të dalin jashtë. Sa orë duhet të rrinin në ujë? Një, dy, tre – varet nga thellësia.
