Në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e sigurisë në ambientet ujore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar sot një listë rekomandimesh për të gjithë qytetarët që frekuentojnë pishinat publike gjatë sezonit të verës.
Instituti apelon për ruajtjen e higjienës personale, duke theksuar rëndësinë e dushit para hyrjes në pishinë dhe përdorimin e rrobave të përshtatshme të banjës. Ndalohet hyrja në pishinë për personat që vuajnë nga sëmundje infektive, të lëkurës apo të traktit tretës, si dhe për ata që kanë plagë të hapura, për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksioneve.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që theksohet në komunikatë është sjellja e përgjegjshme në ambientet e pishinës. Qytetarët këshillohen të respektojnë rregullat dhe shenjat sinjalizuese, të mbikëqyrin fëmijët në çdo moment dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme si vrapimi apo hedhjet e pakontrolluara në ujë.