Kryetarja e degës së GUXO-s në Komunën e Deçanit, Rabije Haklaj ka njoftuar se bashkë me kryesinë e Degës kanë marrë vendim që të japin dorëheqje nga të gjitha strukturat e Partisë Guxo, si dhe dorëheqjen kolektive e të parevokueshme të Degës së Partisë Guxo në Deçan.
Haklaj përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se që nga themelimi si “Lista Vjosa” më 5 nëntor 2020 nga Presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëpunëtorët e saj politik, e më pas e certifikuar si Partia Guxo, ata janë bashkuar rreth këtij projekti politik që sipas saj kishte frymë rugoviane dhe orientim politik si parti e qendrës së djathtë demokratike dhe properëndimore.
Ajo ka thënë se kanë punuar me sinqeritet dhe ndërshmëri për arritjen e fitoreve të tyre si koalicion dhe bashkëqeverisje me VV-në.
“Kur në shkurt të vitit 2021, para qytetarëve të Republikës së Kosovës, si koalicion i përbashkët iu drejtuam qytetarëve dhe fituam besimin e tyre me 51.28%, në atë fushatë zgjedhore bashkërishtë kërkuam mbështetjen e qytetarëve me një zotim të qartë: Znj. Vjosa Osmani që të jetë Presidente** ndërsa z. Albin Kurti Kryeministër. Po ashtu, para qytetarëve u zotuam se, për të paktën dy mandate, duke qenë se vendi kishte aq shumë nevojë për ndryshime, do të vazhdojmë së bashku me këtë konstelacion politik që dy liderët tanë të mbajnë këto pozicione që nënkuptonte se Presidentja znj. Osmani tani edhe mandatin e dyte e mbi standartin e vendosur po nga ato zgjedhje se, në dy pozitat drejtuese më të larta të Republikës, të kemi figura që gëzojnë mbështetjen më të madhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haklaj.
Ajo ka thënë se ajo që ka ndodhur këto ditë, këtë degë të Guxo-s në Deçan, e ka indinjuar dhe zhgënjyer pa masë e të cilën e ka quajtur një tradhëti të pastër nga partneri i koalicionit.
“Duke marrë parasysh se Presidentja znj. Osmani shprehu vullnetin e saj legjitim dhe të garantuar edhe me Kushtetutë se mund të kandidohet edhe për një mandat si Presidente e Republikës, ajo jo vetëm që hasi në kundërshti dhe zero mbështetje nga partneri i koalicionit, por madje madje u tentua edhe të tallej dhe të denigrohej figura e saj, duke i ofruar fillimisht 30 vota, e më pas në tentim për ta rritur edhe më shumë këtë tallje edhe 33 vota. I gjithë ky plan për ta futur në garë znj. Osmani, nuk ishte asgjë tjetër vetëm sa për të mundësuar kuorumin kushtetues për zgjedhjen e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Presidentz. Konjufca, dhe jo për ta mbështetur realisht zgjedhjen e saj me votë”, ka shkruar Haklaj.
Ajo ka thënë se ata janë zhgënjyer edhe më shumë kur Partia Guxo nuk e mbështeti Osmanin, ndonëse ajo e kishte themeluar.
