Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar zyrtarisht për “Euronews Albania” se sot ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, lidhur me deklaratat e tij publike gjatë periudhës së fundit.
Nga MPJ e RMV-së bëjnë të ditur se në takim nuk ka marrë pjesë ambasadori, por zëvendësi i tij.
“I është dorëzuar një demarsh verbal lidhur me deklaratat e papërshtatshme publike të ambasadorit gjatë periudhës së fundit, të cilat lëvizin në kufirin mes komunikimit të zakonshëm dhe legjitim diplomatik dhe ndërhyrjes së mundshme në punët e brendshme të vendit të akreditimit”, thuhet në deklaratën zyrtare të MPJ-së së Maqedonisë së Veriut.
