Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë vizituar sot pikat kufitare në Merdarë dhe Hani i Elezit, për të monitoruar zbatimin e kontrolleve fitosanitare dhe veterinare, si dhe masat për mbrojtjen e tregut të qumështit dhe produkteve të tjera ushqimore.
Sipas komunikatës së ministrisë, gjatë vizitës ministri Muja është njoftuar me ecurinë e zbatimit të masave të reja, të cilat përfshijnë vendosjen e akcizës për qumështin pluhur dhe produktet që përmbajnë vaj palme, si dhe forcimin e kontrolleve për produktet e qumështit, ushqimet dhe kafshët që hyjnë në Kosovë.
Po ashtu, është bërë e ditur se të gjitha produktet e qumështit, produktet ushqimore dhe kafshët që importohen po i nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe analizave laboratorike nga AUV-ja, me qëllim të verifikimit të përbërjes, respektimit të standardeve dhe garantimit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Ministri Muja theksoi se zbatimi rigoroz i këtyre masave është i domosdoshëm për mbrojtjen e tregut vendor dhe krijimin e kushteve të barabarta për prodhuesit lokalë.
