Ditë më parë, një influencer ndërkombëtar arriti të hynte fshehurazi në kampin e Njësisë Speciale në Vrellë.
Deputetja e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, duke folur për këtë rast, tha se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të nxjerr para përgjegjësisë personat përgjegjës për sigurinë e kampit, e cila siç tha ajo, u cenua rëndë.
Musliu në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se është e papranueshme që një person të mund të futet në një objekt sigurie dhe të lëviz sikur është në guidë turistike.
“Javën e kaluar në media u raportua se janë cenuar rëndë objektet vitale të sigurisë në Kosovë, fjalën e kam konkretisht për kampin e Njësisë Speciale në Vrellë të Fushë Kosovës. Ky lajm jo që është shqetësues, por duhet të ngre alarm për kujdes të shtuar dhe për përgjegjësi të plotë të personave përgjegjës. Prandaj, meqë jam njoftuar dhe zyrtarisht se Inspektorati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet për këtë rast, dua t'i kërkoj zëshëm Inspektoratit Policor që t’i nxjerrë para përgjegjësisë personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin apo sigurinë e këtij kampi", u shpreh Musliu.




