Ganimete Musliu e PDK-së ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë transparence lidhur me Fondin e Sigurisë, i cili u hap tre vite më parë me qëllim mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.Në një reagim të publikuar, Musliu thotë se megjithëse qytetarët dhe diaspora kanë kontribuar financiarisht në këtë fond, institucionet qeveritare nuk kanë dhënë asnjë informatë të qartë për shumën e mbledhur dhe destinimin e saj.
“Fondi i “Sigurisë” që askush s’e di ku është, përveç Qeverisë. Para tre vitesh u hap “Fondi i Sigurisë” me fjalë të mëdha, me ideale të mëdha dhe, si zakonisht, me premtime të mëdha. Qytetarët dhanë para. Diaspora kontribuoi. E Qeveria? Hesht. Sepse, sa herë që vjen puna te transparenca, gjithçka papritur shpallet “sekret”.Këto janë disa nga pyetjet që Qeveria Kurti vazhdon t’i shmangë publikisht: Sa para janë mbledhur realisht në Fondin e Sigurisë? Ku kanë përfunduar këto para? Për çfarë janë shpenzuar? Apo mos vallë po qëndrojnë në një llogari të mbyllur, larg syve të publikut? Sa është investuar në pajisje ushtarake? Sa në infrastrukturë? Sa në mbrojtje civile?”, shkruan Musliu.
Ajo pyet se nëse gjithçka është në rregull, pse ka kaq frikë Qeveria nga llogaridhënia, duke shtuar se sa më shumë hesht Qeveria, aq më shumë rriten dyshimet.“Nuk ka ndarje. Nuk ka raporte. Nuk ka asnjë informacion. Pse ende nuk ka një auditim të pavarur të publikuar? Nëse gjithçka është në rregull, pse ka kaq frikë Qeveria nga llogaridhënia? Fondi i Sigurisë është para publike, jo pasuri private e askujt. Mungesa e transparencës nuk është rastësi, është zgjedhje e qartë politike. Sa më shumë hesht Qeveria, aq më shumë rriten dyshimet”.
