Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka mbajtur konferencë për media, ku ka shpalosur kronologjinë e projektit për modernizimin e sistemit të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, duke deklaruar se projekti po mbetet pa u realizuar për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes nga Ministria e Financave.
Musmurati ka thënë se kapacitetet aktuale të Kompanisë Rajonale të Pastrimit janë tejet të dëmtuara, ndërsa ka theksuar se projekti i financuar përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe investime të tjera infrastrukturore për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.
Ajo ka bërë të ditur se projekti ka nisur para më shumë se tri vitesh dhe se, sipas saj, pavarësisht negociatave, marrëveshjeve dhe vendimeve institucionale, Ministria e Financave ende nuk e ka përfunduar procesin e nënshkrimit të kredisë.
“Sot dua t’u drejtohem qytetarëve të Prishtinës. Duke parë gjendjen alarmante me mbeturina në Prishtinë, dëshiroj t’i shpalos publikut se kapacitetet aktuale të Kompanisë Rajonale të Pastrimit për mbledhjen e mbeturinave janë tejet të dëmtuara. E di arsyen se çka këtu është prezantimi në vijim që duam ta bëjë, ku do të tregoj për pritjen trevjeçare të Kompanisë së Pastrimit për blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10.000 kontejnerëve, dhe përmes një kredie prej 74 milionë eurove, nga Banka Zhvillimore Gjermane, e cila nuk po nënshkruhet.”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka theksuar se gjatë konferencës do të prezantojë dokumente dhe fakte që nga viti 2023, me qëllim të paraqitjes së ecurisë së projektit dhe përgjegjësive institucionale në këtë proces.
“Për me qenë korrekt, për të treguar gjendjen reale në raport me Bankën Gjermane për Zhvillim, unë do të paraqes të gjitha faktet për këtë projekt që po dështon për shkak se Ministria e Financave nuk po e nënshkruan. Prandaj kërkoj edhe mirëkuptimin tuaj për prezantimin e dokumenteve dhe fakteve që nga viti 2023 e deri më sot. Këtu, siç po e shihni, ne kemi një kronologji të datave me takime, negociata, vendime të qeverisë dhe dakordime mes të gjitha palëve për të filluar me implementimin e projektit. Po duhet nisur prej fillimit, sepse është me rëndësi që qytetarët ta kuptojnë se ky projekt nuk ka filluar dje”, ka thënë ajo.
Sipas Musmuratit, kontaktet e para për këtë projekt kanë nisur në maj të vitit 2023, kur është mbajtur takimi i parë ndërmjet Kompanisë së Pastrimit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Ndërkaq, në tetor të po atij viti janë zhvilluar takime me institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Financave, dhe ka nisur përgatitja e projektit.
“Që në maj të vitit 2023, kur ka ndodhur takimi i parë mes Kompanisë së Pastrimit dhe KfW-së gjermane, në tetor të po atij viti u zhvilluan takime me të gjitha institucionet, duke përfshirë Ministrinë e Financave, dhe ka filluar përgatitja e këtij projekti tepër të rëndësishëm për kryeqytetin dhe gjithë rajonin e Prishtinës. Pra, po flasim për një proces institucional që ka nisur para më shumë se tri vitesh.”
Gjatë prezantimit, Musmurati ka shpjeguar se projekti është ndarë në dy faza. Faza e parë parasheh një grant prej 4.1 milionë eurosh nga Qeveria gjermane dhe një kredi të butë prej 20 milionë eurosh, ndërsa faza e dytë përfshin investime prej 50 milionë eurosh.
“E çka parashikon ky projekt? Projekti është i ndarë në dy forca: forca e parë parashikon 4.1 milionë euro grant nga qeveria gjermane për qeverinë e Kosovës, për të angazhuar konsulencat fillestare për të filluar projektin, si dhe 20 milionë euro kredi e butë për blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10.000 kontejnerëve të rinj, platformave për kontejnerë në vlerë prej 1 milion eurove dhe konsulenca të tjera. Si dhe fota e dytë, siç e shihni këtu, investime prej 50 milionë eurove për të krijuar për të blerë edhe më shumë kamionë sipas nevojës, edhe më shumë kontejnerë sipas nevojës, si dhe për të krijuar qendrën për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave”, theksoi ajo.
Ajo ka prezantuar edhe marrëveshjen e parë të arritur në tetor të vitit 2023, e cila, sipas saj, ishte nënshkruar nga kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës, ministrat përkatës, Kompania e Pastrimit dhe Banka Gjermane për Zhvillim.



