Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës. Moszgjedhja e Qeverisë për herë të dytë, bën që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se që nga fillimi kur Vetëvendosje doli e para në zgjedhje e që nuk tregoi asnjëherë interesim të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, është parë se epilogu është zgjedhjet e reja.
Ai gjithashtu kritikoi edhe partitë ish opozitare, të cilat sipas tij nuk arritën të kenë një gjuhë të përbashkët për një zgjedhje të tyre, e cila nuk do të qonte në zgjedhje.
“Që nga fillimi, kur partia e cila doli e para në zgjedhje, e që nuk tregoi asnjëherë interesim të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, është parë se epilogu është zgjedhjet e reja. Njëjtë është parë edhe nga paritë që më parë ishin në opozitë, të cilat po ashtu asnjëherë nuk arritën të kenë gjuhë të përbashkët për një zgjidhje të tyre, e cila nuk do të qonte në zgjedhje”, vlerësoi ai.
Mustafa u shpreh se salla e Parlamentit është shndërruar në “teatër me shfaqje herë tragjike për shtetin e herë komike për popullistët”, duke i cilësuar veprimet e deputetëve si të papërgjegjshme dhe të padinjitetshme për shumicën e qytetarëve.
“Salla e Parlamentit shërbeu si teatër për shfaqje herë tragjike për shtetin e herë komike për popullistët nga aktorët që morën vota të qytetarëve, jo për vendime në dobi të qytrtarëve. Vlerësoj se ishin shfaqje të papërgjegjshm e të padinjitetshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
