Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka theksuar nevojën për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar se bashkëpunimi dhe koordinimi politik janë rruga e vetme për të kërkuar zgjidhje ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve.
Mustafi ka theksuar se ndasitë politike vazhdojnë të jenë një nga sfidat kryesore të shqiptarëve të Luginës, ku veprojnë rreth tetë subjekte politike. Megjithatë, sipas tij, është krijuar një hapësirë për të gjetur një rrugë të përbashkët, në mënyrë vullnetare dhe përmes një procesi organik, autentik dhe të udhëhequr nga vetë shqiptarët e Luginës.
Ai ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Shqiptarët, nëse kanë një element që i bashkon, është ndasia në shumë subjekte politike. Edhe në Këshillin e Preshevës janë diku tetë subjekte politike. Por, krahas kësaj, kryeministri Kurti ka krijuar një hapësirë për ta gjetur rrugën e përbashkët, vullnetarisht dhe në një dinamikë që është organizim organik e autentik i vetë shqiptarëve të Luginës”, ka theksuar Mustafi.
Duke folur për përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Mustafi ka rikujtuar historikun e përfaqësimit parlamentar që nga vitet e ’90-ta, duke përmendur Behlul Nasufin dhe më pas Ramazan Ahmetin, në vitin 1997.
