Anëtarët evropianë të NATO-s mund të përballen me mungesë serioze të karburantit për avionët ushtarakë në rast të një konflikti të madh, paralajmëron një studim i ri i mbështetur nga Aleanca. Një ndër arsyet kryesore lidhet me mbylljen e rafinerive në Evropë dhe rënien e kapaciteteve për prodhimin e karburantit, si pasojë edhe e politikave për largimin gradual nga lëndët djegëse fosile.
Sipas një studimi të publikuar në shtator, nëse gjatë dekadës së ardhshme do të shpërthente një konflikt i madh ku do të përfshiheshin vendet evropiane të NATO-s, së bashku me përforcimet ushtarake nga SHBA-ja dhe Kanadaja, nevojat e aviacionit të Aleancës mund të tejkalonin rezervat e disponueshme të karburantit.
Siç raporton Politico, ky paralajmërim vjen në një kohë kur operacionet hibride dhe sabotimet e dyshuara ruse kanë shtuar shqetësimet për një përballje të drejtpërdrejtë ndërmjet NATO-s dhe Moskës.
Ndërsa shtetet evropiane po investojnë miliarda euro në avionë luftarakë, tanke, raketa dhe dronë të rinj, studiuesit paralajmërojnë se mungesa e karburantit mund të shndërrohet në një nga pengesat më të mëdha për mbrojtjen efektive të kontinentit.
Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s ka deklaruar për Politico se furnizimi i qëndrueshëm me energji është thelbësor për gatishmërinë ushtarake.
“NATO-s i nevojiten burime të besueshme energjie për të penguar kundërshtarët e mundshëm dhe për t’u mbrojtur. Në rrethana të caktuara, nevojat e mbrojtjes kolektive nënkuptojnë se ushtria duhet të ketë përparësi”, ka thënë zyrtari.
Evropa ka humbur një të katërtën e rafinerive
Autorët e studimit ia atribuojnë një pjesë të përgjegjësisë edhe politikave evropiane të dekarbonizimit, që synojnë zvogëlimin gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Këto politika kanë nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, por njëkohësisht kanë kontribuar në mbylljen e rafinerive të naftës, nga të cilat ushtria varet për sigurimin e rezervave strategjike.
Sipas të dhënave të organizatës FuelsEurope dhe Komisionit Evropian, rreth një e katërta e rafinerive në Evropë janë mbyllur që nga viti 2009.
Si rezultat, kontinenti ka humbur kapacitete të përpunimit të disa milionë fuçive naftë në ditë. Aktualisht, në Evropë kanë mbetur rreth 70 rafineri funksionale që mund të prodhojnë karburant për avionë për nevojat e tregut vendor.
Komisioni Evropian tashmë po përpiqet ta ndalë këtë prirje. Komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jorgensen, paralajmëroi muajin e kaluar se kapacitetet e përpunimit të naftës në Bashkimin Evropian janë zvogëluar për 10 për qind gjatë dy dekadave të fundit, duke ndikuar edhe në aftësitë mbrojtëse të kontinentit.
Një zyrtar i lartë evropian i sigurisë ka pranuar se ende nuk ka një përgjigje të qartë se si NATO mund t’i rrisë kapacitetet e rafinerive, por ka theksuar se kjo nuk duhet të jetë arsye për braktisjen e tranzicionit të gjelbër.
As marrja e gjithë karburantit nga sektori civil nuk do ta zgjidhte problemin
Pjesa më shqetësuese e studimit lidhet me skenarin e një lufte të madhe në Evropë, në të cilën NATO do të aktivizonte nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që përcakton parimin e mbrojtjes kolektive.
Studiuesit paralajmërojnë se në rrethana të tilla sistemi i furnizimit me karburant mund të arrijë kufijtë maksimalë të kapaciteteve të tij.
Sipas përllogaritjeve të tyre, nga mesi i viteve 2030, as kufizimet drastike të konsumit të karburantit në sektorin civil nuk do të mjaftonin për të përmbushur nevojat e ushtrisë.
