Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar pas ndalimit të punimeve për vendosjen e muralit të Nënës Terezë në kryeqytet, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u bllokua projekti pavarësisht lejeve të lëshuara nga organet komunale.
Në reagimin e tij publik në Facebook, Dushi kritikoi ndërhyrjen nga niveli qendror, duke theksuar se vendimi komunal u anashkalua përmes presioneve verbale nga zyrtarë ministrorë.
“Sonte, pavarësisht ‘Pëlqimit’ të dhënë nga organet kompetente të Kryeqytetit, përmes urdhrave në formë të ‘britmave’ të zyrtarëve të një ministrie u pengua vendosja e muralit të Nënë Terezës në Sheshin që mban të njëjtin emër!…”, ka shkruar Dushi.
Kjo përplasje mes Komunës dhe nivelit qendror ndodhi vetëm një natë para datës së caktuar për përurimin e veprës.
Mozaiku me sipërfaqe prej 33 metrash katrorë, i punuar me guaca të sjella nga Shën Gjini i Shqipërisë nga autori Don Dominik Kukeli, sdb, ishte paraparë të përurohej nesër, të shtunën më 28 nëntor 2026, në orën 10:00, për nder të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe nën patronazhin e kryetarit Përparim Rama.


