Numërimi i votave të diasporës, përveçse ka ndikuar në shpërndarjen e mandateve mes subjekteve politike, ka sjellë ndryshime edhe në renditjen e partive në disa komuna të Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë forcë e parë në pjesën dërrmuese të komunave, por në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit epërsinë e mbanin subjekte të tjera politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dalë e para në Istog, ndërsa Aleanca printe në Junik.
Megjithatë, votat e ardhura nga diaspora kanë ndryshuar këtë panoramë.
Në Istog, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka kaluar në vendin e parë. Edhe pse kanë mbetur pa u numëruar edhe tri kuti të votave nga diaspora që i përkasin kësaj komune, LVV-ja kryeson ndaj LDK-së me 109 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta.
