Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, ka deklaruar se familja është e bindur që djali i tij është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe jo se ka bërë vetëvrasje.
Duke folur në Debat Plus në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Avni Dehari ka përmendur një varg rrethanash dhe kundërthëniesh që, sipas tij, e mbështesin bindjen e familjes se bëhet fjalë për vrasje.
“Jemi të bindur se Astriti është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren për shumë arsye. Në radhë të parë, çdo gjë ka qenë e inskenuar. Për këtë ka shumë fakte e dëshmi”, ka thënë ai.
Dehari ka përmendur edhe rastin e sulmit në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se personat e akuzuar në atë rast, pas disa seancave gjyqësore, janë shpallur të pafajshëm.
Sipas tij, edhe deklarimet e zyrtarëve pas vdekjes së Astrit Deharit kanë qenë kontradiktore, përfshirë ato të zyrtarëve të qendrës së paraburgimit, drejtorit të Policisë Rajonale dhe ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.
“Vetëm sulmi në Kuvendin e Kosovës, 6 veta që janë arrestuar dhe jo tre nga gjatë janë dërguar në paraburgim, kanë dal pas shumë seancave gjyqësore të pafajshëm. Të gjitha ato akuza që janë ngritur për akt terrorist kanë ra poshtë, nga gjyqtarët tanë. Kjo flet shumë. Pastaj, pas vrasjes, deklarimet e zyrtarëve, qoftë të burgut, qoftë të drejtorit të Policisë rajonale, qoftë deklarimet e Syl Hoxhës që ka qenë kryeprokuror i Themelores në Prizren janë shumë kontradiktore. Në fillim kanë bërë përpjekje që të ia m’veshin se Astriti ka bërë vetëvrasje me përdorim të shumë barnave, pastaj analizat që janë bërë kanë vërtetuar se Astriti nuk ka përdor barna e as drogë, e as helme të tjera që mund të ia merrnin jetë”, ka deklaruar Dehari.



