Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë (ME), KIESA dhe LuxDev për Skemën e Granteve për Energji të Pastër që po zbatohet përmes projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë, përfaqësues nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, po i japin bizneseve një mbështetje konkrete që do t’i ndihmojë të ulin kostot e energjisë, të rrisin konkurrencën dhe të përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar.
Ndërsa, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se nga kjo skemë do të përfitojnë ndërmarrjet e mikro-të vogla dhe të mesme, me fokus ndërmarrjet më të prekura nga liberalizimi i tregut të energjisë.
Kurse, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë, tha se buxheti prej 1 milion eurove për energji të pastër, shënon një hap në përkushtimin e përbashkët për të avancuar tranzicionin e Kosovës në energji dhe po ashtu, rezistencën ndaj klimës.
